Nisja e një hetimi paraprak u urdhërua sot nga Prokuroria e Selanikut, pas pretendimeve të familjarëve të viktimave, Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, se Përparim Ademi i kishte shfrytëzuar ato për trafik foshnjash, në Greqi.
Kreu i Prokurorisë së Selanikut, Panagiotis Panagiotopulos urdhëroi nisjen e hetimeve për të parë nëse në këtë histori kemi të bëjmë me birësime të paligjshme, apo nëse ka përfshirje të një grupi të organizuar.
Familjarët e viktimave pretendojnë se trafiku i foshnjave në Greqi është ndihmuar edhe nga një avokat grek, i cili ka ndërruar jetë, ndërsa shtojnë se janë më shumë se 10 fëmijë që dy gratë e kanë lindur dhe më pas janë trafikuar.
Si ndodhi krimi
Vrasja e dyfishtë mëngjesin e 31 dhjetorit tronditi kryeqytetin. Përparim Ademi përdori si karrem fëmijën e njërës prej motrave për të hyrë në banesën e tyre, të cilat me sa duket e kanë kuptuar rrezikun për shkak të tentativës për t’u ndarë përfundimisht me të.
Kur e kanë parë ardhjen e tij, dy motrat që po hanin bukë, kanë tentuar të mbyllin derën, por ai ka qëlluar me armë duke i lënë të vdekura në vend.
Përparim Ademi ka hapur zjarr fillimisht në derë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të dy motrave.