Presidenti Donald Trump doli për herë të parë para kamerave duke pranuar fitoren e Xho Bajden në zgjedhje dhe bëri thirrje për një tranzicion të qetë të pushtetit.
“Një administratë e re do të inaugurohet në 20 Janar. Fokusi im tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe të rregullt të pushtetit. Ky moment kërkon shërim dhe pajtim” – tha Trump në një video të postuar në Twitter dhe Youtube.
Presidenti u shpreh se dënonte dhunën në Kongres dhe bëri thirrje për dënimin e protestuesve që kryen aktet vandale dhe sulmin ndaj ndërtesës simbol të demokracisë amerikane. Trump po përballet me kritika të ashpra për mënyrën si ka trajtuar dhunën e paprecedentë që shpërtheu një ditë më parë në Kongresin amerikan.
Në fjalën e tij gati 3-minutëshe, Trump me nota deri diku apologjike theksoi se gjithçka kishte dashur ishte të siguronte që zgjedhjet të ishin të drejta dhe kurrsesi përshkallëzim të situatës.
Megjithatë, në leximin e fjalës së Trump, Lapsi vuri re se në asnjë moment ky i fundit nuk përmendi fjalën ‘President i ri’ apo Xho Bajden. Ky fakt është vënë në dukje edhe nga qindra komentues në videon e Presidentit. Duke pasur parasysh paparashikueshmërinë që karakterizon Donald Trumpin, duket se edhe këto 12 ditë të Presidencës së tij do të jenë të mbushura me ankth. A po tërhiqet realisht biznesmeni miliarder nga karrigia e Presidentit?