Policia e Fierit ka arrestuar drejtuesin e automjetit i cili pasi aksidentoi për vdekje 50-vjeçarain Gëzim Gjyrdyku, dy ditë më parë në vendin e quajtur “Vajkan”, u largua nga vendngjarja.
Policia gjithashtu ka ndaluar edhe pasagjerin që ndodhej në këtë mjet, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi”.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 05.01.2021 në vendin e quajtur “Vajkan”, ku u aksidentua me pasojë vdekje shtetasi Gëzim Gjyrdyku, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit së bashku me mjetin që drejtonte tip Furgon Sprinter Mercedez Benz, i cili pasi aksidentoi me pasojë vdekje 50-vjeçarin, u largua nga vendngjarja.
U bë kapja dhe ndalimi për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, i drejtuesit të mjetit, shtetasit Emiljano Dhuli, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe ndalimi i pasagjerit në këtë mjet, shtetasit K. M., 22 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip Furgon Sprinter Mercedez Benz, që drejtonte 38-vjeçari”, tha policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.
FAMILJARËT
Të afërmit e viktimës janë shprehur për mediat se gjatë mbrëmjes së të martës i kanë rënë celularit të tij, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kaq ka mjaftuar dhe ata janë alarmuar të gjithë, duke dalë në rrugë për ta kërkuar. Por, mungesa e ndriçimit ka bërë që kërkimet e tyre të mos jepnin rezultat. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit është gjetur orët e para të mëngjesit të djeshëm.
“Nuk dimë se si ka ndodhur, por jemi të sigurt që familjari ynë ka vuajtur duke dhënë shpirt. Po të kishte qenë i përgjegjshëm drejtuesi i mjetit, mirë që e përplasi, por ta çonte në spital. Mbase do kishte shpëtuar. Nata ishte e ftohtë, shi binte, kushedi sa ka vuajtur që i ka dalë shpirti. Ky është një krim i rëndë, i dyfishtë, nga drejtuesi i mjetit, prandaj ta gjejnë dhe ta dënojnë për humbjen e një jete në mënyrën më të keqe”, ka thënë një nga familjarët e 50-vjeçarit të ndjerë.
Ndërkohë, Policia ende nuk e ka identifikuar autorin e aksidentit me pasojë vdekjen e një personi. Sipas bluve, ende po hetohet dhe po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
FAMILJA E VIKTIMËS
Familja e viktimës mësohet se jeton në kushte të vështira ekonomike. Ai kishte tre fëmijë, më i madhi 16 vjeç, dhe i vetmi që punonte me një page mujore fare simbolike ishte 50-vjeçari Gjyrdyku. Aksidentet në këtë aks rrugor kanë qenë të shumta për shkak edhe të mungesës së ndriçimit dhe shpejtësisë së automjeteve. Por në të njëjtën kohë është kërkuar disa herë që të ndërtohen nënkalime, pasi të gjithë banorët e kësaj zone qarkullojnë shpesh në këtë segment rrugor për të kryer punët dhe shërbimet e përditshme për familjet e tyre.