Në fjalën e mbajtur sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave kryeministri Edi Rama u është përgjigjur deklaratave të opozitës lidhur me masat e marra në lidhje me përmbytjet. Rama tha se “vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula”, duke theksuar se situata pas përmbytjeve sot është shumë më e pranueshme nga koha kur sipas tij “bëhej hataja’’.
“Vaksinës së dëshpërimit të opozitës nuk i është gjetur formula. Për shkak të dëshpërimit ata kapen pas cdo mundësie iluzore dhe natyrisht ndaj cdo fakteqësie natyrorre për të bërë politikë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Duke bërë më të mirën, sic të gjithë në këtë moment të vështirë kanë bërë dhë po bëjnë më të mirën. Ne kemi një protokoll standard për Emergjencat Civile, nivelet e gatishmërisë, ngritjen e strukturave në territore, të gjitha këto janë zbatuar”, deklaroi Rama.
“Situata nuk ka si të jetë e pëlqyeshme në ato zona ku reshjet kanë qenë intensive. Falë gjithë punës së bërë ditë për ditë dhe vit pas viti, falë infrastrukturës së kullimit kapaciteteve mbrojtëse, sot me këtë sasi reshjesh kemi një gjendje shumë më të pranueshme dhe absolutisht nën kontroll, krahasuar nëse do të ishim si në ato vite jo shumë të largëta kur bëhej hataja. Nga pikëpamja e jetëve njerëzore s’ka asnjë dëm. Nga pikëpamja e banesave dëmet janë minimale”, u shpreh kreu i qeverisë.