Qytetarët e Delvinës kanë mbetur pa uëj të pijshëm. Në një njoftim zyrtar, Bashkia e Delvinës ka njoftuar se për shkak të përmbytjeve pas reshjeve të shumta të shiut, vendi ka mbetur pa ujë të pijshëm.
Gjithashtu, në njoftim theksohet se nuk dihet se kur do të normalizohet situata, pasi pas analizave të kryera mëngjesin e sotëm, tregon se uji në këtë qytet ka përmbajtje bakteriologjike, fakt ky që e bën të pamundur furnizimin me ujë të popullatës.
Reagimi i Bashkisë Delvinë:
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar një problematikë serioze në burimin e Vrizit duke e bërë ujin të papërdorshëm për momentin. Jemi duke bërë përpjekjet maksimale për sistemimin e ujërave përreth burimit. Në bashkëpunim me NJVKSH Delvinë po ndjekim në vazhdimësi kryerjen e analizave të ujit.
Analizat e kryera sot në orët e para të mëngjesit tregojnë përmbajtje bakteriologjike, fakt ky që e bën të pamundur furnizimin me ujë të popullatës. Të gjithë banorët janë të lutur të përdorin çezmat publike për të realizuar furnizimin me ujë të pijshëm. Përballë kësaj situate të vështirë, të kushtëzuar nga moti i keq, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në zgjidhjen e këtij problemi, thuhet në reagimin e Bashkisë Delvinë.
Sot është dita e katërt që Shqipëria ndodhet nën pushtetin e ujit që ka sjellë probleme kryesisht në Shkodër, Durrës, Lezhë, Vlorë e Bulqizë. Si pasojë e motit të keq kanë ndodhur shembje masive të rrugëve në Lezhë. Ndërkohë që në Fushë-Krujë rreth 20 banesa janë të rrethuara nga uji. Në Korçë situata është drejt normalizmit, ndërsa në lumin e Devollit ka filluar të ulet niveli i prurjeve të ujit.