LAÇ– Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zbritur në terren për të parë nga afër sesi është gjendja e shkaktuar nga reshjet e shumta të shiut që kanë pushtuar vendin tonë. Kryemadhi ka shkuar në vreshtin e një fermeri në Laç, i cili i ka treguar fushat e përmbytura, ku pretendon se ka investuar të paktën 40 mijë euro.
Në mes të ujit, fermeri i ka treguar Kryemadhit me detaje gjithë problematikat që haset çdo ditë, ndërkohë që deputeti Gjetan Gjetani, qëndronte i heshtur pas tyre duke dëgjuar. Pasi dëgjoi problematikat e qytetarit, numri një i LSI-së, ia vuri fajin klasës politike për të gjithë pasojat e vendit, duke premtuar për ndryshimin e mënyrës të së bërit politikë.
“Faj kemi dhe ne që mbyllim sytë, për hir të stabilitetit por… Kjo është arsye pse duhet të ndryshojmë metodologjinë e të bërit politik. Kështu po iu rrënon politika, edhe ai që ngrihet vetë, me shpatullat e veta, rrënohet. *kthehet nga deputeti O Gjetan, je lagur ti… Do të ftohesh. Po qenka bërë qamet-qamet,”-tha Kryemadhi.