Meteorologia Adiola Bani nga MeteoAlb u shpreh se kjo javë do të sjellë mot të acartë dhe reshje bore në disa zona të vendit. E ftuar mëngjesin e kësaj të hëne në “Abc-ja e mëngjesit”, Bani tha se do të ketë reduktim të reshjeve dhe një mot më të qëndrueshëm ndërsa fundjava do të sjellë rënie të temperaturave dhe reshje të izoluara dëbore kryesisht në zonat malore.
“Do të ketë përmirësim jo vetëm në zonat qëndrore dhe jugore ku ka patur shumë më pak reshje gjatë mëngjesit së sotëm dhe gjatë ditës kemi reshje të pakta dhe të izoluara. Veriu mbetet pak problematik gjatë paradites, ndërsa pasditja sjell përmirësim të motit, herë pas here do të kemi intervale me kthjellime dhe reshjet do të jenë në sasi më të pakët.
Nesër do të ketë më pak reshje me shumë intervale me kthjellime, ndërsa e mërkura dhe deri në fundin e javës sjell një mot më të qëndrueshëm por temperatura të rëna ndjeshëm. E premtja dhe fundjava sjellin mot të acartë dhe temperatura shumë të ulta sidomos në zonat malore. Për shkak të lagështirës së lartë, reshjet që do të bien do të jetë dëborë dhe pse jo në të gjithë territorin.“, tha Adiola.
Përsa i përket vendeve të rajonit, Bani tha se do të mbeten në mbizotërimin e reshjeve të dëborës. “Për vendet e rajonit aktualisht mbeten me reshje dëbore. Kryeisht një pjesë e Malit të Zi, Kosova dhe një pjesë e mirë e Maqedonisë mbeten me reshje dëbore sot dhe nesër dhe pse jo në sasi shumë të madhe. Presim të ketë përmirësim të motit nga e mërkura por rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit.”, u shpreh Bani.