Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur një kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të PS në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për ‘shpërdorim detyre’ si dhe për ‘përdorim të funksionit publik për fushatë’.
Në kallëzimin e LSI, janë paditur kryeministri Edi Rama, ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Toni Gogu, prefekt i qarkut Tiranë, Bujar Çela, deputet, Xhemal Qefalia, deputet, Sadi Vorpsi, deputet, Elton Arbana, kryetari i Bashkisë Shijak, Adrian Tufa, kryetari i njësisë administrative Farkë, Besdnik Bali kryetar i njësisë administrative Baldushk.
Sipas kallëzimit të LSI, personat e paditur, “janë përfshirë në veprime të kundraligjshme të parashikuara si të tilla nga Kodi Penal, por edhe nga Kodi Zgjedhor i RSH, si dhe aktet ligjore dhe nën ligjore të miratuara nga KQZ, si veprimtari të ndaluara nga data 25 12 2020.
Këta zyrtarë me veprimet e tyre direkte me dashje, kanë shkelur haptazi dispozitat e mësipërme të cilat qartazi parashikojnë ndalesa për detyrat e tyre dhe për afatet e parashikuara në to.
Të kallëzuarit edhe pse janë në dijeni të dispozitave ndaluese dhe ndëshkuese për veprimet e kryera nga këta të fundit, me arrogancë dhe duke injoruar dukshëm këto dispozita , më shumë se një herë me veprimet e tyre kanë shkelur urdhërimet e këtyre dispozitave, duke treguar se qëllimi i tyre nuk është zbatimi i ligjit por krijimi i favoreve elektorale për forcën politike që ata përfaqësojnë.
Qëllimi i këtyre veprimeve të kryera nga të kallëzuarit është i qartë, sigurimi i votave apo favoreve elektorale”, thuhet në kallëzimin e LSI.