Tiranë- Policia e Tiranë ka arrestuar kosovarin me rrezikshmëri të lartë, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga ka rënë 40-vjeçari nga Kosova, Gazmend Mujaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.
Operacioni policor i koduar “Lokalizimi”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Interpol Tirana.
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese kosovare, për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë”.
40-vjeçari strehohej në një banesë me qira, në rrugën “Jordian Misja”, Tiranë.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, falë informacioneve policore dhe koordinimit të veprimeve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Lokalizimi”.
Në zbatim të kërkesës së ardhur nga ILECU Kosovë, për kapjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore, FAST ALBANIA, DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, bazuar në informacionet e marra më parë nga FAST ALBANIA, për 40-vjeçarin, i cili fshihej në Tiranë, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasit G. M., 40 vjeç, banues në Kosovë.
Autoritetet ligjzbatuese kosovare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S. M. dhe pas tentativës është larguar ilegalisht nga territori i Kosovës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Kosovës.