Kush e solli vaksinën në Shqipëri?/ Panariti: Absurditet! Nuk dihet nëse është dhuratë apo e blerë.
Edmond Panariti e konsideroi vendimin e kryeministrit Edi Rama për të mos e treguar emrin e vendit që i ofroi Shqipërisë dozat e para të vaksinës, një absurditet.
I ftuar këtë të hënë në emisionin “Quo Vadis”, Panariti u shpreh se ambasadori i vendit nga i cili ne siguruam 975 dozat e para, duhet të ishte në krah të kryeministrit Edi Rama.
“Një absurditet i paparë. Kjo nuk ka ndodhur dhe është një enigmë e madhe për të parë se kush është ky vend që na vendosi në dispozicion këto vaksina. Ku është prodhuar vaksina dhe kush është tipi i vaksinës. Unë mendoj që edhe për sqarim duhet që Komiteti të jepte të dhëna mbi vaksinën. Kemi parë vetëm një demonstrim të vaksinimit, nuk dihet nëse ka qenë dhuratë apo e blerë. Duhet të dime se sa kemi kontrakuar nga Pfizer dhe sa nga Astra Zeneca, duhet të jemi të qartë. Nuk e dimë kush është vendi i origjinës. Vaksina është shumë delikate.”