Tiranë- Kalendari i punimeve të Kuvendit do të jetë nga 18 janar-26 shkurt 2021. Ndërkohë komisionet do të vijojnë të mblidhen online kurse seancat plenare me praninë fizike të deputetëve.
Ndërkohë Konferenca ka miratuar edhe kalendarin trejavor të punimeve që do të jetë periudha 18 janar- 5 shkurt 2021.
NJOFTIMI NGA KUVENDI
Konferenca e Kryetarëve miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt dhe kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, pasi uroi për një sesion parlamentar të suksesshëm, njoftoi se hapja e sesionit të VIII të legjislaturës së IX, do të bëhet ditën e hënë, datë 18 janar 2021, në orën 17:00.
Konferenca miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 18 janar – 26 shkurt 2021, kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 18 janar – 5 shkurt 2021, si dhe kalendarin e paraqitjes në Kuvend të raporteve të organeve kushtetuese dhe atyre të ngritura me ligj për veprimtarinë e tyre për vitin 2020. Në mbledhje u vendos zhvillimi i seancave plenare në datat 28 shtator dhe 4 shkurt 2021.
Në mbledhje u diskutua edhe për ndalesat në Kodin Zgjedhor dhe vendosi që të zbatohet legjislacioni përkatës.
Gjatë këtij sesioni mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë të zhvillohen online dhe seancat plenare do të zhvillohen me praninë fizike të deputetëve, duke respektuar protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u zhvillua me anë të platformës së komunikimit elektronik “Cisco Webex”.