Tiranë- Pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik në universitetet e vendit, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka mbajtur takimin me rektorët e universiteteve. Gjatë takimit u diskutua veçanërisht për mënyrën e zhvillimit të leksioneve dhe seminareve në kushtet e pandemisë, për të cilët cilëson se i “vjen mirë që të gjitha institucionet e arsimit të lartë janë përshtatur me metodën e ‘mësimit të kombinuar’ (në auditore dhe ‘online’) sipas specifikave të tyre përkatëse”.
“Në fokus të bashkëbisedimit ishte plani i masave të ndërmarra prej tyre për nisjen sa më mbarë të vitit të ri akademik më 2 nëntor. Ofrova të gjithë gatishmërinë time personale dhe institucionale për të bashkëpunuar me universitetet në çështje me interes të përbashkët, ku në thelb është pa dyshim mbrojtja e shëndetit të gjithsecilit, respektimi i masave anti-COVID, shërbimet akoma më të mira për studentët dhe rritja e cilësisë së arsimit të lartë” – shprehet ndër të tjera ministrja Kushi.