TIRANË– Ditën e sotme është ekstraduar nga Kosova, 46-vjeçari, Indrit Taullai, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga GJKKO për akuzën e vrasjes me paramendimin e grup të strukturuar kriminal. Ai akuzohet nga SPAK për vrasjen e Klodjan Saliut dhe si organizator për ekzekutimin e Vajdin Lamaj, ngjarje të ndodhura në 26 dhe 27 shkurt të 2005.
“Nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: I. T., 46 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, njofton policia.
Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lerë pa lëvizur masat e sigurisë për Emiljano Shullazin, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusin, Viktor Ymerin, Indrit Taullain, që u arrestuan për dy vrasjet e realizuara. Ndërsa procesi gjyqësor për Lulzim Berishën, nuk është zhvilluar për shkak se policia ende nuk ka mundur ta arrestojë.
Të gjithë këta persona përfshirë dhe bashkëpuntorin e prokurorisë SPAK, Luftar Reçin, akuzohen si ideatorët dhe autorët e vrasjes së Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005. Në Dubai si i impikuar në këto dy vrasje, u arrestua Plaurent Dervishaj, i cili sapo kishte hipur në një avjon Charter dhe ndodhej në pistë gati për fluturim. I vetmi person që është në kërkim për dy vrasjet e bujshme vazhdon të jetë Lul Berisha.