Pogradec- Nikolin Xhukellari, vëllai i 42-vjeçarit që humbi jetën sot pasi kati i dytë i banesës ku ai jetonte u përfshi nga flakët, ka treguar detaje nga ngjarja tragjike në Pogradec. 42-vjeçari Nardi Xhukellari jetonte i vetëm dhe se ndërtesa ishte e braktisur dhe e rrënuar.
Ngjarja ndodhi në 4 të mëngjesit, ndërsa theksoi se dhoma e vëllait ishte ‘pushtuar’ nga flakët dhe se nuk mund ta ndihmonin. Ai tha se i ka nxjerr fëmijët zbathur nga banesa.
“Nga ora 4 e mëngjesit më zgjon nusja dhe më thotë; çohu se po bëhet zhurmë. Kur hapa derën shoh katin e dytë që ishte kapluar nga flakët. Lartë banonte vëllai, dhoma e tij ishte mbushur me zjarr. Nuk bëmë dot gjë që të shpëtonim vëllain. Mora fëmijët dhe nusen dhe dolëm direkt jashtë, s’morëm dot asgjë tjetër. Morëm pastaj në telefon policinë dhe zjarrfikësit. Punonjësit e zjarrfikëses erdhën në këmbë, pasi makina e zjarrfikëses nuk vinte dot, pasi gomat xhironin nga ngrica. As rroba për fëmijë s’kemi, i kemi marrë zbathur. Mendoj se zjarri ka ardhur nga korrenti, ka bërë ndonjë masë. Instalimet ishin të reja. Lart kati i dytë nuk i kishte instalime të reja, ka qenë pakujdesi e vëllait, pasi ai nuk ishte dhe mirë, ishte i pafuqishëm nga shëndeti”, -tha vëllai i viktimës.