Selenicë, Vlorë- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vizituar qytetin e Selenicës, në Vlorë.
Presidenti Ilir Meta ishte sot në Selenicë ku deklaroi se rruga duhet të ndërtohet menjëherë që banorët e kësaj zone të mos penalizohen nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale Meta shkruan se gjatë bisedës me banorë të Selenicës hasi në kërkesën e tyre për ndërtimin e kësaj rruge. Ai thotë se i ka informuar për përpjekjet e tij për të mos lejuar tallje me Selenicën.
Postimi i presidentit të Republikës Ilir Meta:
Mezi kisha pritur të vizitoja Selenicën, këtë qytet me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por të braktisur prej vitesh në mjerim e vuajtje, për të biseduar hapur, sy më sy, me kërkesë të tyre, me banorët e mrekullueshëm të saj.
Më njohën me problemet e shumta të përditshmërisë së tyre, nga mungesa e vendeve të punës, investimeve dhe shfrytëzimi pa kriter i tokave bujqësore nga biznesmenë të lidhur me pushtetin.
Të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës.
I informova në detaje për të gjitha përpjekjet e mia të palodhura për ndërtimin pa vonesa të saj dhe për të mos lejuar më talljen me Selenicën, duke i garantuar se përherë do të jem në krahun e tyre.
RRUGA E SELENICËS TË NDËRTOHET MENJËHERË dhe banorët e kësaj zone të mos penalizohen më nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni.