Plagoset me thikë ndërtuesi Admir Mulaj, vëllai i gjyqtares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj.
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, në zonën e Farkës. Zyrtarisht policia ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për ngjarjen.
Autori i ngjarjes nuk është identifikuar, kjo pasi Admir Mulaj nuk ka bashkëpunuar me policinë, duke deklaruar se nuk e njeh personin që e ka goditur me mjetin prerës.
Admir Mulaj, është ndërtues pallatesh në kryeqytet. Më parë Admir Mulaj, është denoncuar si përfshirë në një skemë mashtrimi, nga një biznesmeni nga Vlora, Eduard Dauti, i cili pretendonte se ka paguar shumën prej 241 mijë e 600 euro, por nuk e ka marrë apartamentin. Edhe edhe vetë ndërtuesi Mulaj ka paditur në prokurori biznesmenin nga Vlora për akuzën e “mashtrimit”.
Admir Mulaj është pronar me aksione të plota i kompanisë së ndërtimit “Construction Management Allience-Albania”, që ka ndërtuar një pallat në ish-zonës së bllokut në Tiranë.
Por ky nuk është sulmi i parë që u bëhet të afërmive të gjyqtares. Nata e ndërrimit të viteve në 2019 për familjen e Vladimir Mulajt, vëllait tjetër nuk ka qenë e zakontë. Kjo pasi një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer në oborrin e shtëpisë së tij, duke sjellë dëme serioze në vilën që zotëron Mulaj, në afërsi të qytetit studenti në Tiranë.