Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit këtë të mërkurë ka bërë një paralajmërim në lidhje me situatën e motit që pritet të përfshirë vendin tonë në ditët në vijim.
IGJEUM në raportin e saj të fundit thekson se gjatë datave 23-26 Janar 2021 priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri dhe në jug të territorit.
Ndër të tjera bëhet me dije se këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa.
NJOFTIMI ZYRTAR
Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë dt. 23-26 Janar 2021 priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqëndruara në veri dhe në jug të territorit. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël. Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve por nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve.
RESHJET
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 20) dhe nesër (e enjte, dt. 21) priten reshje mesatare në qarkun Shkodër, reshje të dobëta por lokalisht mesatare në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Në veri të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë në formë dëbore në lartësitë 300 mbi nivelin e detit.
TEMPERATURAT
Nesër (e enjte, dt. 21) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 6 / 14 °C
në vendet e ulëta: 5 / 15 °C
në vendet malore: -1 / 7 °C
ERA
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 20) dhe nesër (e enjte, dt. 21) era pritet të fryjë e lehtë.”, thuhet në njoftimin e IGJEUM.