SHBA- Dr. Anthony Fauci është rikthyer në dhomën e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Dr. Fauci, eksperti kryesor i sëmundjes infektive në vend, u caktua nga Presidenti Joe Biden me punën e informimit të publikut për zhvillimet e fundit mbi pandeminë e koronavirusit pasi u mënjanua në muajt e fundit nga ish-presidenti Donald Trump.
Dr. Fauci tha se administrata e re do të “jetë plotësisht e hapur dhe e sinqertë” në trajtimin e pandemisë dhe, në një koment të nënkuptuar si kritikë ndaj administratës Trump, tha se gjithçka tani do të jetë e “bazuar në shkencë dhe prova”.
I pyetur nëse ndihet më pak i kufizuar në komunikimet me administratën e re, Fauci u përgjigj: “është çliruese të mund të flasësh për atë që di, atë që thotë shkenca”.
Dr. Fauci, i cili u sulmua në mënyrë të përsëritur nga ish-presidenti Trump për pikëpamjet e tij mbi pandeminë, foli për të rejat e fundit mbi variantin e ri më ngjitës të Covid-19 dhe pandeminë e cila deri më tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 400,000 amerikanëve.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në një gjendje shumë serioze në lidhje me pandeminë globale, por ai tha tani, duket se numri i infeksioneve “ka arritur një pikë më të qëndrueshme”.
Dr. Fauci u pyet gjithashtu nëse administrata e Presidentit Biden do të jetë në gjendje të punojë me ndonjë prej planeve të lëna nga administrata e mëparshme për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave ose nëse ato thjesht nuk ekzistonin.
Dr. Fauci ishte i qartë se ekipi i ri “nuk po fillonte punën nga e para” dhe do të ishte e pasaktë të thuhej se nuk ka patur asnjë plan kundër pandemisë.
“Ne jemi duke sjell ë ide të reja, por po shqyrtojmë edhe disa ide të administratës së mëparshme që nuk ishin ide të këqija”, tha ai. /VOA