Tiranë- Gjykata Kushtetuese mban sot seancën e parë, e rikthyer kështu pas 3 viteve bllokim nga Vetingu.
Në dhjetor numri i anëtarëve të rinj shkoi në 6 (7 bashkë me Vitore Tushën e vetmja që mbeti aty pasi Vetingu i shkarkoi antarët e tjerë), duke krijuar numrat e nevojshëm për mbajtjen e seancave.
Sot do të zhvillohet seanca e parë dhe në rend dite është një kërkesë e Gjykatës së Tiranës me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017.
Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.