Tiranë- Kryeministri Edi Rama në konferencën me gazetarë ka komentuar mes të tjerash edhe përgjimet e Ndragheta-s të publikuara së fundmi.
Pa u përmbajtur dhe në nota kritike Rama është shprehur ndaj gazetarëve se kjo bëhet vetëm për klikime.
“Në këtë rast ka folur qartësisht grupi hetimor italian dhe është turp i pashembullt për të gjithë ju që ushqeni tymnajën me llafe, muhabete e dëngla. Pas më shumë se një viti udhëtime në Tiranë për investime që do të bëhen në Shqipëri ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël. Në vitin 2018 investimi në Shqipëri, janë shitur mallra për 5 milion lekë të reja dhe ka humbur 400 milion lekë të reja. Servirja e këtij llumi dhe kërkesa për klikime dhe spektakël është një turp që mishëron ata që e ushqejnë këtë, që janë të njëjtët të cilën prirjen për t’ja bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet. Përmendin njerëz, imagjinojnë investime, përfytyrojnë investimin e tokës së pushtuar dhe nuk ka asnjë fakt, këtu ngrihet një tymnajë e neveritshme. Merreni konkluzionet e prokurorisë italiane dhe pijani lëngun. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të medias.” tha Rama duke cituar sipas tij konkluzionet e Prokurorisë italiane.