TIRANË– Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mbush sot 85-vjeç. Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore për të cilin krenohemi kudo në botë. Në karrierën e tij të gjatë, shkrimtari numëron dhjetëra romane e qindra poezi, të cilat lexohen anë e mbanë botës në gjuhë të ndryshme.
Kadare është shkrimtari shqiptar me të cilin krenohet e gjithë Shqipëria, por për të ka qenë e vështirë që deri më tani të rrëmbente çmimin Nobel në Letërsi, pavarësisht se ka qenë disa herë kandidat për këtë çmimin. Emri i Kadaresë është përsëritur shpesh herë në listën e Akademisë Suedeze, nga e cila akordohen çmimet më të rëndësishme në Letërsi, prej fillimit të viteve 1990, kohë në të cilën Shqipëria kishte dalë nga regjimi komunist, ku veprat e Kadaresë nisën të botoheshin në më shumë se 30 gjuhë të botës.
Në nder të 85-vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare sot do të mbahet veprimtaria shkencore me temë “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Në njoftim bëhet me dije se po në këtë event Kadare do të ripropozohet nga Akademia e Shkencave për çmimin Nobel në Letërsi.
Njoftimi i plotë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”. Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”.Në këtë veprimtari, fjalën e hapjes do ta mbajë kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi. Më pas do të vijojë kumtesa me temë “Kadare në letërsinë europiane botërore”, që do të mbahet nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, z. Pirro Misha, dhe më tej kumtesa e studiuesit të letërsisë shqipe, prof. Bashkim Kuçukut, , me temën “Kadareja në kritikën botërore, një paraqitje enciklopedike e ndërkombëtarizimit të veprës së shkrimtarit shqiptar; paraqitje e dy vëllimeve të para “Kadareja në kritikën franceze”.” Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho.
Biografia e Ismail Kadare
Kolosi i letërsisë shqiptare ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’. Po kështu ai është vlerësuar si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj evropianë të shekullit XX dhe, përveç kësaj, si një zë universal kundër totalitarizmit.
Në vitin 1963, ai botoi romanin e tij të parë me titull “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili nuk u prit mirë nga kritikët komunistë në atë kohë. Po ai vijoji me punën e tij, duke nxjerë librin e dytë “Përbindëshi”. Në këtë periudhë ai filloi të njihej si shkrimtar. Ai është autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’, ‘Kronikë në Gur’, ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, ‘Vit i Mbrapshtë’, ‘Koncert në fund të dimrit’, ‘Nata me hënë’ e shumë të tjera.