Tiranë- Një 24-vjeçar me iniciale L.L. është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare në Rinas.
Ai i ka zgjatur efektivit një kartëmonedhë prej 50 eurosh në mënyrë që të kalonte lirshëm drejt një shteti të BE pavarësisht se nuk i plotësonte kushtet. Në këtë moment i riu është arrestuar nga policia.
“Policia Kufitare e Rinasit godet një tjetër rast të mitëdhënies. Tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së edhe pse nuk plotësonte kushtet, vihet në pranga 24-vjeçari. Gjatë javë së fundit Policia Kufitare e Rinasit ka goditur dhe tre raste të tjera të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Kufitare
Si rezultat i shtimit të kontrolleve në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasin L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervisitimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, ky shtetas, duke qenë se ai nuk justifikonte qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonte kushtet për të udhëtuar në hapësirën Schengen, i ka ofruar punonjësit të Policisë 50 euro, për ta lejuar që të vijonte udhëtimin.
Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, të mos ndërmarrin asnjë veprim të kundërligjshëm, të mos përpiqen për të korruptuar punonjësit e Policisë pasi do përballen me ligjin”, – njofton policia.