Pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama të bërë publik përmes një mesazhi të shpërndarë në “Twitter” ka ardhur dhe përgjigjja e menjëhershme e naftëtarëve.
Ata shprehen se nuk janë kundër negociatave por se greva do të mbyllet kur të marrin diçka konkrete nga ato që kërkojnë.
Naftëtarët i kërkojnë Ramës të përcaktojë datën, orën dhe vendin e takimit për t’u ulur në tryezë.
‘Na ka ardhur një lajm nga kryeministri, i cili na dërgon një mesazh. Mesazhi është ky: ‘Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë për rindezjen e rafinerisë edhe pse greva juaj nuk na ndihmon për këtë. Ndërkohë meqë ju nuk po pranoni as të dilni në asistencë ka vetëm një rrugë, mbyllni grevën dhe ulemi të qajmë hallin’.
Ne i themi zotit kryeministër, faleminderit për këto mesazhe që na shkruan por ne nuk jemi kundër negociatave ose uljes me atë në tavolinë. Po e them në emrin tuaj, të na caktojë datën, orën dhe vendin e takimit. Në momentin që do ulemi dhe do marrim diçka konkrete nga zoti kryeministër atëherë kjo grevë do të mbyllet”, tha përfaqësuesi i naftëtarëve.