TIRANË– Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim i ka kthyer një përgjigje të shkurtër, por të qartë kryeministrit Edi Rama lidhur me pretendimet e tij, ndaj deklaratave të saj për largimin e të inkriminuarve nga listat për deputetë.
Pas fjalimit të gjatë të Ramës dje, ku pretendonte se Shqipëria kishte shkelur madje të drejtat e njeriut me dekriminalizimin, Kim shkruan se krerët e partive duhet të reagojnë jo sepse e kërkon Amerika apo ambasadorët, por sepse aspirojnë Bashkimin Europian. Ndër të tjera, ambasadorja Kim ka shtuar se pastrimi i listave nga ana e kryetarëve, është një shenjë respekti ndaj votuesëve.
“Udhëheqësit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë se duhet bërë apo sepse Amerika e ka bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë sepse kërkohet nga ligji i Shqipërisë, diçka që pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Europian, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit,“-shkruan Kim në Twitter.
Dje në një bashkëbisedim me gazetarët, numri një i qeverisë u pyet lidhur mbi mesazhet e shumta që përfaqësuesja e Amerikës në vendin tonë ka lëshuar në rrjetet sociale lidhur me procesin e dekriminalizimit. Rama tha se nuk kishte nevojë për asnjë ambasador që t’i kujtonte se duhet që të bënte punën e tij, duke shtuar se nuk është në detyrën e partisë që të verifikojë statusin e kandidatëve, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi individuale. Ndër të tjera, Rama e cilësoi ligjin e dekriminializimit si një shkelje të të drejtave të njeriut.