Saga e skandaleve të emisionit të shumëpërfolur ‘Për’puthen’ vijon duke na paraqitur të vërtetën tronditëse të prapaskenave të këtij programi.
Duket se ditët e fundit programi ka marrë të tatëpjetën. Suksesi i aq shumë përmendur, klikimet rekord të anoncuara me aq shumë pompozitet, duket se i janë kthyer në një boomerang vrastar autores së programit Olsa Muhameti.
E titulluar “Për Olsën”, ish-konkurrentja e programit “Përputhen”, Tea Trifoni, ka bërë një deklaratë të fortë orët e fundit përmes një video të realizuar nga vetë ajo, ku i ka nxjerrë gjithë “të palarat” emisionit dhe autores së tij Olsa Muhameti.
Ajo ka thënë se produksioni prej muajit dhjetor e dinte për lidhjen e saj me Beartin, por nuk kishte pranuar t’i largonte, as Tean dhe as Andin. Madje, Tea thotë në video se Vitin e Ri e ka kaluar në Kosovë me familjen e Beartit, ndërkohë që emisioni i ka kërkuar që të bënte foto me Andin dhe t’i publikonte, për të treguar që ishin bashkë.
Tea shprehet se ishin të detyruar të vazhdonin lidhjen në emision për shkak të kontratës, ndërkohë që si ajo ashtu edhe Andi i kanë kërkuar të largohen nga emisioni, por kjo gjë ka qenë e pamundur pasi Olsa Muhameti nëpërmjet shantazheve i ka mbajtur në program.
Ndërkohë Tea e akuzon dhe shpërthen ndaj Olsës duke e akuzuar se ajo i ka detyruar të vazhdojnë emisionin, duke i shfrytëzuar për të bërë reklama për shkak të bizneseve të saj dhe interesave që ajo kishte, ndërkohë që ajo edhe Andi nuk kanë marrë asnjë ‘kokërr leku’ për shfrytëzimin e imazhit të tyre, por të gjitha i merrte autorja Olsa Muhameti.
Pjesë nga fjala e Teas:
“Vendosa të reagoj për Olsën. Për ty Olsa, e për të thënë boll vazhdove me mashtrime, manipulove situatën si të duash ti, si bën gjithmonë. Boll më zhyte mua në humnera akoma më shumë nga ç’më ke zhytur se shpirti im e di çfarë po heq. Ti më duket e paske kujtesën pak të shkurtër Olsa. Por s’ka problem se t’i kujtoj unë ca gjëra. Ti i dije të gjitha. Unë të kam kërkuar që të dal që në dhjetor por ti më nxirrje 100 justifikime. Unë dhe Andi kemi kërkuar të dalim si çift, të përputhur, të përplasur, të përleshur, sido që të ishte vetëm që të dilnim aty sa më shpejt. Po pse moj Olsa harrove ti që për Vitin e ri kur kemi folur bashkë, unë kam qenë në Kosovë te Bearti duke e festuar me familjen e tij. Pas kësaj ju më keni kërkuar të bëja foto me Andin. Foto që su bënë kurrë. Edhe unë për këto kam prova. Na përmendni krimin tonë të rëndë që është giveaëay. Bizneset që bëjmë ne, por në fakt bizneset i bën ti. Ti më ke mbajtur aty mua. Jo se më paske dashur, por se të interesonin reklamat dhe pjesa jote. Bizneset donin që të isha unë dhe Andi për të reklamuar ata. Ne nuk kemi marrë asnjë kokërr leku nga kjo.”