Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqëse të programit ndërkombëtar COVAX, kanë publikuar të mërkurën parashikimet rreth shpërndarjes së vaksinës kundër koronavirusit, për vendet që tashmë kanë aplikuar për këtë vaksinë.
Përmes skemës COVAX, Shqipëria pritet të furnizohet me 141,600 doza vaksine, Serbia 345,600, Bosnje-Hercegovina 177,000, Maqedonia e Veriut, 103,200 dhe Mali i Zi, 84,000.
Kosova, si një nga vendet e përfshira në program, besohet se do të mund të përfitojë nga COVAX, 100,800 doza të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, shkruan REL.
Të gjitha këto vende do të furnizohen me vaksina të kompanisë AstraZeneca, përveç Bosnje-Hercegovinës, e cila do të përfitojë edhe një sasi të vaksinave të kompanisë Pfizer.
Në raport theksohet se vaksinat për vendet pjesëmarrëse në program do të shpërndahen në 2021, por nuk është caktuar asnjë datë fillestare e nisjes këtij procesi.
Deri tani Shqipëria ka siguruar fillimisht si dhuratë 975 doza vaksine nga një vend i BE, ndërsa të hënën erdhën 1170 dozat e para nga marrëveshja me Pfizer.