TIRANË– Komisioni Europian mendon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen zyrtare të negociatave.
Për KE, kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit, janë përmbushur. Komisioni konsideron, se Gjykata Kushtetuese ka rifituar funksionalitetin e saj në dhjetor. Ky ishte kushti kryesor për ekzekutivit europian lidhur me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ndryshe nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian, që vlerësojnë, se shumica e kushteve mbeteshin te paplotësuara.
‘Abcnews’ shkruan se për Komisionin, reforma zgjedhore është tani një çështje zbatimi, pasi Komisioni i Venecias publikoi opinion e tij dhe ndryshimet teknike për ligje të ndryshme u miratuan nga parlamenti në dhjetor. Lidhur me kushtet e tjera për sundimin e ligjit, Komisioni Europian konsideron, se zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar. Kjo ka të bëjë veçanërisht me procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që sipas Komisionit Europian po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme. Për gjykatën e Lartë, Komisioni Europian vlerëson, se kjo gjykatë rifitoi funksionalitetin në mars të 2020 dhe se krijimi i strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u finalizua.
“Eshtë bërë përparim i mirë në zbatimin e ligjit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu dhe në adresimin e rekomandimeve të task forcës për veprimit financiar (FATF) mbi pastrimin e parave” konsideron ekzekutivi europian.
Komisioni Europian vlerëson këtë radhë, se drafti për ndryshimet lidhur me ligjin për mediat nuk ishin midis listës së kushteve të vendosura nga Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian në mars 2020. “Siç tregohet nga Komisioni i Venecias, miratimi i ndryshimeve në ligjin e medias nuk është i nevojshëm; por nëse ndonjë ndryshim do të miratohej, ato duhet të ishin në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias” vlerëson Komisioni Europian.
Por shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian nuk konsiderojnë ende që kushtet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë janë përmbushur.