Mbretëria e Bashkuar ka kaluar pikun e valës së fundit të infeksioneve me COVID-19 dhe variantit të ri, theksoi kreu i autoriteti shëndetësor në vend. Ai tha se situata në spitale vazhdon të jetë kritike. Aktualisht në spitale në Mbretërinë e Bashkuar gjenden të shtruar 32,000 pacientë me COVID, por ky numër ka filluar të ulet, thanë zyrtarët. Nga 50 000 raste në ditë që u shënuan në fillim të vitit, tanimë ato kanë rënë në 19,000 infeksione të reja. Megjithatë numri i viktimave vazhdon të mbetet i lartë, me vendin që regjistroi 1,322 vdekje në një ditë të vetme për të çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në më shumë se 109,000.
Britania e Madhe është përballur me një përhapje të shpejtë të variantit të ri për shkak të një varianti më të transmetueshëm që është shfaqur aty. Deri më tani, vendi ka vaksinuar më shumë se 10 milion njerëz dhe vaksinat duket se kanë filluar të japin rezultate.
Por shumë prej atyre njerëzve kanë marrë vetëm një dozë pasi Britania e Madhe ka vonuar dozat e dyta në një përpjekje për të vaksinuar më shumë njerëz.
Qeveria kishte vendosur një qëllim të vaksinimit të të gjithë personave mbi moshën 70 vjeç, banorëve të shtëpive të kujdesit dhe punëtorëve dhe punonjësve të vijës së parë shëndetësore deri në mes të shkurtit. Në deklaratën e tyre autoritetet shëndetësore theksojnë se në momentin që do të arrihet vaksinimi i personave mbi 50 vjeç dhe ata me gjendje shëndetësore para-ekzistuese, ata do të kenë vaksinuar pothuajse të gjithë njerëzit me rrezik vdekjeje dhe “e rëndësishmja, rreth 80%” e të gjithë atyre që përfundojnë në spital.