Zhdukja e biznesmenit italian Davide Pecorelli vijon të mbetet një mister.
Mediat italiane shkruajnë se pala shqiptare ka vonuar dërgimin e mostrave të ADN-së për t’u krahasuar me ato të vëllait të tij Antonello. Sipas autoriteteve italiane koha e hetimeve po zgjatet pasi informacionet nuk po vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare.
La nazione shkruan se tre janë elementët që e kanë karakterizuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Së pari partnerja e tij shqiptare me të cilën Davide kishte një djalë, ia ka besuar çështjen avokatit Giancarlo Viti, i cili përfaqëson atë dhe të miturin si palë të prekura në këtë situatë. Në dëshminë e saj gruaja shqiptare e italianit është shprehur para grupit hetimor se Davide në datë 3 Janar kishte lëvizur nga Vlora në drejtim të Pukës dhe se me vete kishte 400 euro.
Së dyti qëndron vonesa e informacioneve nga pala shqiptare. Ndërsa elementi i tretë është dëshmia e mikut sipërmarrës me të cilin Davide Pecorelli donte të hapte një biznes tjetër në zonën e Città di Castello.