Nëntë ditë pasi u rrah nga shokët dhe u la i gjakosur në rrugë ka ndërruar jetë 57-vjecari Pelivan Sinorrapaj nga Ballshi.
Ai ishte i shtruar te spitali i Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve, 57-vjeçari sot ndërroi jetë, raporton gazetarja e ABC në Fier, Valbona Davidhi.
Por si ishte ngjarja?
Në datë 29 janar në mbrëmje Pelivan Sinorrapaj ishte ulur në lokalin e lagjes në Ballsh së bashku me tre shokë.
Pasi kaluan disa orë duke konsumuar alkool, 57-vjeçari me tre shokët Fitim Zekaj 42 vjeç, Festim Alimetaj 53 vjeç dhe Ferdinand Meraj 44 vjeç u konfliktuan, sipas dëshmitarëve për politikë.
Sherri vazhdoi edhe jashtë lokalit, ku Pelivan Sinorrapaj u godit dhe u gjakos. Tre shokët e lanë në mes të rrugës dhe u larguan.
Babai i tre fëmijëve u dërgua për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë por mesditën e sotme ka ndërruar jetë. Ai do të përcillet nesër për në banesën e fundit.
Policia kreu ndalimin e autorëve ndërkohë që gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” disa ditë më parë. Por tani do të përballen me akuzën e plagosjes me pasojë vdekjen.
Një prej fqinjeve të 57 vjecarit tregoi pak ditë më parë për ABC se Sinanrrapaj ishte i papunë por së fundmi bashkëshortja ishte punësuar nga Bashkia e Ballshit./