Dibër- Pas 48 orësh të humbur janë gjetur trupat e pajetë të tre punëtorëve në minierën e Selishtës. 1 inxhinier dhe 2 punëtorë dyshohet se janë asfiksuar nga gazi brenda minierës, ku kishin mbetur të bllokuar prej 48 orësh. Trupat e pajetë janë nxjerrë jashtë minierës ‘Balgjaj’ orët e para të këtij mëngjesi.
Viktimat Ismail Hoxha, 62 vjeç dhe dy punëtorët, Fatos Çesku, 59 vjeç dhe Rruzhdi Rushiti, 29 vjeç janë raportuar mbrëmjen e së mërkurës të humbur nga familjarët e tyre, pasi kishin humbur kontakt me ta.
Për të gjetur trupat e tyre u ngrit një grup avari-shpëtimi, të cilët i gjetën kufomat rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm.
NJOFTIMI I PLOTË
Me datë 28.10.2020, rreth orës 18:15, shtetasi S. H., ka telefonuar Sallën Operative në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, se vëllai i tij shtetasi I.H., rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere, së bashku me dy punëtorë, të cilët punonin në minierën “Balgjaj”, Selishtë, Dibër, kanë humbur kontaktet me familjen.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se personat mund të kenë mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodhen në dhomën e ndërrimit.
Janë njoftuar grupet e avari shpëtimit në miniera, për të bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e tre shtetasve.