Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar planin për rimëkëmbje të këtij blloku, duke u hapur rrugën vendeve anëtare që të kenë qasje në gati 700 miliardë euro si kredi apo grante, me qëllim të tejkalimit të dëmeve ekonomike që ka shkaktuar pandemia.
Grantet – rreth 300 miliardë euro – do të ndahen për investime dhe reforma, me qëllim të stimulimit të ekonomive të 27 vendeve anëtare, transmeton dpa.
Për të fituar qasje në të holla, shtetet e BE-së duhet të dorëzojnë planet e tyre për shpenzime deri më 30 prill.
Komisioni Evropian dhe vetë shtetet e BE-së më pas duhet të pajtohen për secilin plan.
Në votimin e të martës, rezultatet e të cilit janë publikuar të mërkurën, deputët e Parlamentit Evropian, kanë miratuar planin me shumicë votash.
Përgjatë debatit, deputeti Siegfried Muresan, që ka qenë i përfshirë në negaciata, ka thënë se fondet duhet të shfrytëzohen për të modernizuar ekonomitë e shteteve.
“Këto para nuk duhet të përdoren për shpenzime të zakonshme të buxhetit, por për investime dhe reforma”, ka thënë ai.
Shtetet anëtare ende duhet të pranojnë zyrtarisht paketën, mirëpo nuk pritet të ketë pengesa në këtë aspekt.
Problemi më i madh do të jetë miratimi i vendimit që i mundëson bllokut evropian të huazojë paratë nëpër tregje.
Shumica e paketës së rimëkëmbjes besohet se do të financohet në këtë mënyrë.
Kur ky dokument të ratifikohet dhe të miratohen planet kombëtare, Komisioni Evropian duhet të ndajë paratë për qeveritë – mirëpo ato nuk pritet të dorëzohen për disa muaj, marrë parasysh procedurat komplekse.
Plani i BE-së për rimëkëmbje do të mbulojë masat që zbatohen në periudhën shkurt 2021- gusht 2026.
Projektet që janë miratuar para planit për rimëkëmbje, do të mund të financohen po ashtu. /REL