Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pranuar gabimet në strategjinë për të siguruar vaksina të mjaftueshme për 447 milionë qytetarët e Bashkimit Evropian, teksa është përballur me kritika nga ligjvënësit lidhur me menaxhimin që i ka bërë blloku evropian vaksinimit.
“Ne ende nuk jemi ku duam të jemi. Kemi qenë të vonshëm në autorizim. Ne kemi qenë shumë optimistë kur kemi pasur të bëjmë me prodhim masiv dhe ndoshta kemi pasur shumë vetëbesimin se ajo që e kemi porositur mund të dërgohej në kohë”, ka thënë von der Leyen para Parlamentit Evropian më 10 shkurt.
Shpërndarja e vaksinave është goditur edhe nga prodhuesit e vaksinave, të cilët kanë përmendur kapacitetet dhe furnizimet, si arsye për vonesa.
Teksa Bashkimi Evropian tejkalon shifrën e 500,000 personave të vdekur me koronavirus, Komisioni Evropian është duke u përballur me kritika për skemë të ngadalshme të vaksinimit, e cila mundësohen negociimin për blerje të vaksinave në emër të të gjitha vendeve të BE-së.
Kompanitë Pfizer dhe AstraZeneca janë vetëm dy prej kompanive që kanë thënë se nuk do të mund të arrijnë pritshmëritë për prodhim të vaksinave, për shkak të disa ndryshimeve që duhet bërë nëpër fabrikat e tyre, me qëllim të rritjes së kapacitetit të prodhimit në të ardhmen.