TIRANË– Ambasadorja amerikanë në Shqipëri, Yuri Kim zbardh bisedën me kryeministrin Edi Rama lidhur me kandidimin e deputetit Tom Doshi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kim shkruan se dëshiron që t’i japë fund spekulimeve, duke bërë me dije se ka marrë garanci nga numri një i qeverisë se Doshi nuk do të ketë asnjë post në asnjë qeveri socialiste.
Më tej, ambasadorja Kim shkruan se Rama i ka kujtuar faktin që ka qenë vetë ai që e ka përjashtuar deputetin nga radhët e Partisë Socialiste, duke gjetur kështu edhe një gjuhë të përbashkët për emërimet e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare.
“Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: Kryeministri Edi Rama dhe unë kemi mirëkuptim se çfarë do të thotë emërimi. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri që ai formon,”-shkruan Kim. Ndërsa krahas deklaratës së saj ka rikthyer edhe njëherë njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për futjen e Doshit në “listën e zezë”. Po ashtu bie në sy fakti që nuk e përmend me emër deputetin por i referohet me “këtij personi”.