Pas vitit të vështirë që sapo lamë pas, në të cilin udhëtimet mbetën vetëm një ëndërr, tani një shpresë e re duket në sfond dhe shumë vende kanë nisur të hapin kufijtë për turistët e vaksinuar kundër Covid-19.
Zotërimi i një “pasaporte vaksinimi” në fakt do t’i lejonte vendet të autorizonin udhëtarët të hynin pa pasur nevojë të qëndronin në karantinë dhe të plotësonin kërkesat.
Rumania heq kufizimet
Që nga mesi i janarit, vizitorët lejohen të hyjnë në vend pa qenë e nevojshme të qëndrojnë në karantinë nëse mund të vërtetojnë se kanë marrë vaksinën. Nëse vaksinimi kërkon të dyja dozat, ato duhet të merren të dyja të paktën 10 ditë para udhëtimit në Rumani.
Islanda, asnjë kufizim duke nisur nga 1 maji 2021
Qeveria islandeze njoftoi se nëse jeni nga një vend që i përket European Economic Area (EEA), udhëtarët që janë vaksinuar kundër Covid-19 do të lejohen të hyjnë pa kufizime duke nisur nga 1 maji 2021. Të gjithë turistët që do të paraqesin një certifikatë ndërkombëtare vaksinimi, nuk duhet t’u nënshtrohen masave të karantinës.
Gjeorgjia, e hapur nga 1 shkurti 2021
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se duke nisur nga 1 shkurti 2021, të gjithë turistët ndërkombëtarë që duan të hyjnë në vend, nëpërmjet udhëtimeve ajrore, mund ta bëjnë këtë me kusht që të kenë marrë të dyja dozat e vaksinës Covid-19 dhe të paraqesin një certifikatë prove. Turistët e vaksinuar mund të vizitojnë Gjeorgjinë pa pasur nevojë të bëjnë një test apo të qëndrojnë në karantinë.
Liban, jo karantinë, po testeve PCR
Libani njoftoi se turistët që do të paraqesin një certifikatë vaksinimi nuk duhet të bëjnë karantinë. Gjithsesi turistët e vaksinuar duhet të paraqesin një test Covid-19 negativ jo më shumë se 96 orë përpara për të hyrë në vend. Gjithsesi në aeroport, si një masë sigurie, do të bëhet edhe një test i dytë PCR (shpenzim i kompanisë ajrore)
Qipro, pa kufizime duke nisur nga 1 marsi 2021
Qipro njoftoi se udhëtarët e vaksinuar kundër Covid-19 nuk do t’i nënshtrohen karantinës duke nisur nga marsi 2021. Ministri i Transporteve, Yiannis Karousos, deklaroi se duke nisur nga 1 marsi 2021, ishulli i bukur grek synon që të hapet pa kufizime ndaj turistëve të vaksinuar.
Polonia, stop karantinës 10-ditore
Nga 28 dhjetori, Polonia mori një masë vetizolimi të detyrueshëm prej 10 ditësh për të gjithë njerëzit që hynin në vend. Megjithatë, nëse mund të tregoni një certifikatë se jeni vaksinuar kundër Covid-19, përjashtoheni nga vetizolimi.
Danimarka, pasaportë vaksinimi
Danimarka i është futur punës për “pasaportën e vaksinimit” dhe njoftoi se do të shpërndajë edhe pasaporta dixhitale, me të cilat qytetarët jo vetëm do të udhëtojnë, por edhe mund të hanë një darkë jashtë në restorante dhe të marrin pjesë në evente si koncerte dhe festivale.
Edhe Greqia, certifikatë vaksinimi
Edhe Greqia po punon për një certifikatë vaksinimi në nivelin e BE-së që do të lehtësonte udhëtimet dhe do të garantonte siguri në destinacione. Kryeministri grek theksoi se certifikata e vaksinimit nuk do të kufizojë në asnjë mënyrë mënyrën e të udhëtuarit dhe siguroi që mbrojtja e të dhënave nuk është në rrezik.
Monitor.al