Vlorë- Pas reshjeve të së enjtes banorët e fshatin Nartë kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Uji ju ka depërtuar në shtëpitë e tyre dhe ende nuk është tërhequr. Janë përpjekur të ndalojnë futjen e ujit në banesë me batanije por s’ia kanë dalë dot.
Në disa nga banesat e fshatit uji ka hyrë deri në rreth 20-30 cm duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Është e dyta herë gjatë natës sot u shtua në mëngjes ishte 25 cm. Dërrasa janë dëmtuar pllakat po shkërmoqën. Mobiliet morën ujin lart. S’kemi si ta largojmë ujin. Pa gjumë tërë natën.”– shprehet njëri nga banorët për mediat.
“Shtëpia është mbytur e heq uji djalin me pompë. Gjithë plaçka në ujë dhe bahçja është plot ujë. Është ngritur mbi 40 pont nga radha e parë. E kanë mbyllur kanali e vogël që ka qenë dikur për kullimin. Ta hapin. Edhe një kanal është mbushur me llum dhe kashtë.”– shprehet një banor tjetër.
Sipas kryeplakut janë përmbytur dhe rreth 20 shtëpi të tjera banorët e të cilave kanë emigruar. Në total në Nartë kanë prezencë uji dhe janë përmbytur rreth 80 banesa.