Mjeku i pezulluar nga detyra, pas përgjimeve të SPAK në Gjykatën e Krujës, Edvin Prifti, dha një intervistë ekskluzive për News24 dhe BalkanWeb, para se të njihet me vendimin e GJKKO.
E pyetur se pse Prokuroria kërkoi ndërrimin e masës ndaj tij nga pezullim nga detyra, në arrest me burg, mjeku u shpreh se organi i Akuzës është bazuar te sasia e parave që u gjet në shtëpinë e tij. Në sqarimin e tij, mjeku Prifti tha se shuma e parave ishte e bashkëshortes së tij, pas një kontrate shit-blerje me të motrën.
“Kjo është një kërkesë që bëri prokurori i çështjes, që bazohej në faktin e një sasie të ardhurash, që u gjendën në shtëpinë time dhe e konsideroi të arsyeshme një ashpërsim të masës në arrest me burg. Sigurisht që pasi ai e kërkoi këtë, ne paraqitëm gjithë dokumentacionin që këto janë të ardhura të ligjshme me një kontratë të bashkëshortes sime të shit-blerjes së një prone. Unë kam qenë në dijeni të këtij procesi, sepse vetë SPAK dërgoi njerëz që më datë 9 për të sekuestruar kartelat. Isha në dijeni, sepse i kam konsideruar gjithçka që kam në jetën time të ligjshme, me nder dhe me punën që kam bërë.
Kam punuar 12 vite jashtë vendit tim, në qendrat më të mira, ku vetëm çmimet ndërkombëtare që kam marr arrijnë vlerën e 200 mijë euro. Çdo gjë që kam është e ligjëruar. Sasia që ndodhej në shtëpinë time, vjen nga një akt shit-blerje i bashkëshortes sime. Për këtë nuk e pashë të nevojshme që kjo gjë të më krijonte ndonjë problem, ndaj e mbajta në shtëpi, aty ku e kisha. Uroj që drejtësia të marrë vendimin e duhur dhe kam besim që drejtësia mund të funksionojë në këtë vend. Dy orë më parë, segmente të caktuara të politikës dhe ekzekutivit, përfshirë dhe kryeministrin, kanë deklaruar që unë jam i arrestuar. Mesa duket unë po shkoj drejt arrestit në këtë moment”, tha Prifti.
Ndërkohë, i pyetur se çfarë pret nga GJKKO, mjeku u përgjigj se “Pres që të më burgosin, u deklarua në sallë, sepse u deklarua edhe në TV. Le tua japin juve prangat dhe të mi vendosni këtu”.
Marrë nga Balkanweb