SHBA- Mbrëmjen e djeshme ish-presidenti Donald Trump u shpall i pafajshëm nga Senati Amerikan për akuzën se nxiti kryengritje të paligjshme, ndonëse 7 Senatorë republikanë i janë bashkuar demokratëve kundër tij.
Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Pas këtij eventi historik, përderisa ishte e paprecedentë që i njëjti president të bëhet “impeach” dy herë, Trump ka paralajmëruar një rikthim në skenën politike amerikane.
“Lëvizja jonë historike, patriotike dhe e bukur për ta bërë Amerikën të madhe përsëri sapo ka filluar. Në muajt e ardhshëm, unë kam shumë për të ndarë me ju dhe pres të vazhdojmë së bashku udhëtimin tonë të mahnitshëm, për ta bërë Amerikën të shkëlqyeshme për të gjithë njerëzit tanë”, – ka shkruar Trump në një deklaratë nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago të Floridas.