Emri i mjekut Edvin Prifti duket se ka qarkulluar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që prej gushtit të vitit të shkuar. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku Prifti punonte si kardiokirurg kishte depozituar një ankesë në SPAK, e cila vinte nga vajza e një pacienteje, e cila ka ndërruar jetë pasi kishte kryer në operacion në zemër.
Sipas “Anna Ademit”, mjeku Edvin Prifti i kishte marrë para për operacionin dhe të gjithë bisedën kur pretendohet se është zëri i kardiokirurgut e kishte regjistruar.
“QSUT në datën 10 shkurt ka marrë dijeni përmes një profili në Facebook, për një audio në të cilën dëgjohet biseda e dy personave, sipas personit të identifikuar si Anna Ademi, një prej tyre është profesor Edvin Prifti, shef i shërbimit të Kardokirurgjisë pranë QSUT. Profesori flet me një familjar pacienti, ku e orientonte t’i drejtohej një strukture mjekësore, private,”-thuhet në shkresën që QSUT i ka dërguar SPAK.
Mësohet se kjo çështje po hetohet paralelisht me atë të mamasë së sekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila në përgjimet e publikuara nga dosja hetimore, flet për preferencat e mjekut në valutën e monedhave.