Tiranë- Kryedemokrati, Lulzim Basha në një intervistë për “Panorama” ka folur mbi programin e prezantuar nga Partia Demokratike, ku shprehet se programi i tij që ka nisur të prezantohet do të nxjerrë Shqipërinë nga balta, që e ka lënë Rama në këto 8 vite.
Cili sektor do të jetë prioritet i Partisë Demokratike nëse vjen në qeveri: infrastruktura, bujqësia, turizmi apo cili? Normalisht nëse zhvillohen ato që sapo përmenda, kthehet edhe në mirëqenie për familjet?
Ne kemi sjellë plane serioze pune në të gjitha fushat: ekonomi, shëndetësi, arsim, infrastrukturë, rininë dhe çështjet sociale. Ne do të ndryshojmë jetët e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe do ta kthejmë Shqipërinë te suksesi dhe zhvillimi. Jo më premtime boshe si ato të Ramës, i cili këto 8 vite ka dështuar në çdo drejtim. Plane serioze pune – nëse nuk i zbatojmë, ne nuk do të kërkojmë mandat tjetër. Të gjitha këto fusha janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën: pa infrastrukturë nuk mund të ketë turizëm, pa mbështetur bujqësinë, po kështu nuk mund të sigurojmë për turizmin prodhimet tona cilësore dhe prodhimet bio që kërkohen më shumë tashmë kudo, e nëse nuk zhvillojmë turizmin, ne nuk mund të kemi zhvillim dhe punësim direkt dhe indirekt për shqiptarët. Prandaj, ne kemi hartuar plane të detajuara pune të zhvillimit ekonomik për çdo sektor, çdo hallkë e tij është e rëndësishme dhe nuk mund të veprojë e veçuar. Por natyrisht pa luftuar korrupsionin dhe pa çliruar dhe hapur ekonominë, nuk mund të pretendojmë një zhvillim të qëndrueshëm. Korrupsioni gllabëron financat e shtetit, ka ndalur zhvillimin, ka nxitur emigrimin dhe të vetmit që kanë përfituar janë një grusht pushtetarësh. Prandaj angazhimi ynë, bashkëpunimi ynë kryesor me partnerët europianë dhe amerikanë do të jetë lufta kundër korrupsionit, e paralelisht lehtësirat fiskale, një politikë e parashikueshme dhe planifikuar në të paktën 4 vite. Përmirësimi i klimës së investimeve, respekti i pronës dhe pronarëve në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të përfitojnë,- është përgjigjur Basha.