Mesi i shkurtit ka sjellë të ftohtin e acartë në vend, me temperatura që shkojnë deri në -19 gradë, duke i bërë këto ditët më të ftohta të këtij dimri.
Sinoptikanët thonë se ky i ftohtë që solli dhe reshje bore në bregdet e kryeqytet, është si pasojë e fenomenit ‘El Ninja’, që ka përfshirë gjithë kontinentin dhe do të zgjasë 7 ditë.
Siç raportohet, në zonat veriore dhe juglindore janë regjistruar temperatura ekstreme deri në -19 gradë celcius si në Bulqizë, në Korçë deri në -15 gradë etj. Madje, në zona të thella, kjo vlerë ka shkuar edhe deri në 3-4 gradë më e ulët.
Megjithatë, mesi i javës do të sjellë përmirësim të situatës, duke bërë që temperaturat të rriten në vlerat normale të tyre, ndonëse sërish do të jetë ftohtë.
“Megjthëse do kemi nga dita në ditë një rritje, ajo më e ndjeshme do të jetë kryesisht ditën e enjte dhe të premte për Ultësirën Perëndimore. Zonat malore, me gjithë rritjen e tempertaurave që deri të shtunën shkon 7 apo 8 gradë, do mbeten sërish në vlera negative”, – tha për Tv Klan sinoptikania Lajda Porja.
Sinoptikanët i cilësojnë këto fenomene si jo të pazakonta. Një episod të tillë me ditë super të ftohta, vendi ynë e ka përjetuar edhe në dimrin e vitit 2017. Vlera minimale e shënuar në kryeqytet është -5 gradë, ndërsa në 2017 kjo vlerë zbriti në -7,2 gradë, por sërish duke mos e thyer rekordin historik të viteve 1960, ku Tirana ka regjistruar temperaturën minimale -10 gradë.