SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden pritet që të mbështetsë vaksinimin ndaj koronavirusit për vendet e varfëra. Mediat e huaja bëjnë me dije se Biden në një takim virtual të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të zhvillohet këtë të premte pritet që të premtojë 4 miliardë dollarë për një program të vaksinimit në këto vende.
Sipas një zyrtari nga Shtëpia e Bardhë SHBA-ja do t’i japë menjëherë dy miliardë dollarë për programin ndërkombëtar COVAX, ndërsa dy miliardët e mbetur do të jepen gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
COVAX është një projekt global për blerjen dhe shpërndarjen vaksinave për së paku 20 për qind të popullatës së rrezikuar në secilin vend. Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura. Vendet e G7-ës janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania, Franca, Kanadaja dhe Italia. Organizata ndërkombëtare kundër varfërisë One Campaign tha në një raport të publikuar të premten, se vendet e pasura janë në rrugë për të pasur mbi një miliard vaksina më shumë, sesa u duhen.
Kjo, sipas organizatës, do të bëjë që kombet e varfra të luftojnë për furnizimet e mbetura. Organizata, me seli në Uashington, u bëri thirrje vendeve të pasura, të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që t’i shpërndajnë dozat e tepërta.
Ndërkohë nga fillimi i pandemisë e deri më tani në botë kanë humbur jetën 110 milionë njerëz.