Makinës së sekretarit të gjyqtares Enkeleida Hoxha i është vënë flaka gjatë mbrëmjes së djeshme.
Burimet thanë se makina e Igli Kanit është lyer me lëndë djegëse dhe i është vënë flaka rreth orës 23:00, në Krujë.
Automjeti tip ‘BMW’ në pronësi të Kanit ka qenë e parkuar kur ka marrë flakë, dhe ngjarja u konstatua nga nëna e tij.
Sekretari i gjyqtares Hoxha, mësohet se ka deklaruar që nuk ka konflikte me njeri.
Nuk dihet nëse djegia e makinës është një mesazh për Kanin apo për gjyqtaren Hoxha, e cila ndodhet e prangosur. Vetëm pak ditë më parë ajo u nxorr nga qelia për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Enkelejda Hoxha u vu në pranga pak ditë më parë nga SPAK, bashkë me 9 persona të tjerë pasi kishin në plan të lironin të dënuarin për vrasje Saimir Petani. Avokati Aldo Tabaku ishte pjesë e skemës bashkë me sekretaren e gjykatës, Manuela Mallakuçi dhe ekspertin mjeko-ligjor, Shkëlqim Korbi. Për të gjithë GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, mirëpo emri i Kanit nuk ka dalë në asnjë prej përgjimeve të publikuara.
Policia ka nisur hetimet dhe thotë se paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Njoftimi i Policisë Krujë
Më datë 18.02.2021, në orën 22:55, në Krujë, ka marrë flakë dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “BMW”, në pronësi të shtetasit I. K., 28 vjeç, banues në Krujë.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit.