Nevojat e mëdha për vaksina në të gjithë botën kanë nxitur kompanitë farmaceutike të shtojnë dozat e prodhimit, ndërsa të tjera të krijojnë vaksinën e tyre. Rasti i kësaj të fundit është kompania “Johnson&Johnson”, e cila kërkon nga Agjencia Europiane e Barnave aprovimin për përdorimin e vaksinës së krijuar prej tyre, e për ta shpërndarë më pas në të gjithë Europën.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Europian në rrjetet sociale. Sipas procedurave të ndjekura edhe nga kompanitë “Pfizer”, “Moderna” dhe “AstraZeneca”, Agjencia Europiane e Barnave duhet të kryejë një vlerësim të pavarur dhe shkencor për të parë efektivitetin dhe sigurinë e vaksinës “Johnson&Johnson”, për ta autorizuar më pas përdorimin e saj në Europë dhe më gjerë.
“Johnson&Johnson” është e kushtueshme, në raport me konkurrentet e tjera, por ka një benefit me rëndësi nga ana tjetër: merret vetëm me një dozë. Sidoqoftë, vaksina “Johnson&Johnson” ende nuk është miratuar zyrtarisht për përdorim nga asnjë vend, por kompania thotë se rezultatet e një studimi të fazës së fundit tregojnë se ajo është 85% efektive në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes apo vdekjeve si pasojë e virusit, madje edhe kundër variantit të Afrikës së Jugut.
Sakaq, vendi ku ajo prodhohet (SHBA) zotohet se do të vaksinojë deri në fund të muajit korrik të gjithë shtetasit e saj. Rreth 40,000 mjekë dhe infermierë në të gjithë vendin do të marrin dozat e para të vaksinës.“