Tiranë- Policia ka arritur të identifikojë katër persona si autorë të dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt të këtij viti.
Bëhet fjalë për Albert Zaja, 37-vjeç dhe Elmir Tufa, 29 vjeç. Këta të fundit bashkë me Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë janë shpallur në kërkim nga policia.
Dyshohet se ata janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë që e kanë ndjekur viktimën për afro dy muaj duke studiuar të gjitha lëvizjet e tij duke e qëlluar në një rrugë që nuk ka pasur kamera.
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës.
Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën.