Policia e Brescia-s ka dëbuar nga Italia sipërmarrësin shqiptar, Gëzim Sallaku, ish-pronar i Darfo Calcio. Lajmi bëhet i ditur nga mediet italiane, të cilat theksojnë se biznesmeni shqiptar është etiketuar nga policia si “person i padëshiruar dhe i rrezikshëm për shoqërinë”.
Gëzim Sallaku jetonte në një vilë në Sale Marasino, ndërsa ishte pronar i restoranteve dhe hoteleve në Valcamonica dhe në Liqenin Iseo. Ai është dëbuar nga Italia mbrëmjen e djeshme.
“Biznesmeni 48-vjeçar u dëbua nga vendi ynë, u kthye në Shqipëri. Disa herë në qendër të vëmendjes së lajmeve gjyqësore, Sallaku është arrestuar dhe gjykuar disa herë për vepra të ndryshme penale”, shkruajnë mediet fqinje.
Më tej, në shkrim thuhet se ai është përfshirë në vitin 2002 në një skemë mashtrimi, në lidhje me shitjen e makinave të vjedhura, për evazion fiskal dhe posedim të armëve të zjarrit.