Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar sot programin e kësaj force politike për ish-të përndjekurit politikë. Prezantimi vjen në 30 vjetorin e rrëzimit të bustit t ish-diktatorit, Enver Hoxha.
‘Të dashur bashkëqytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të nderuar përfaqësues të shoqatave të përndjekurve politik, të nderuar përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të opozitës, të përndjekur dhe pasardhës të të përndjekurve politik, sot është dita e 30 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. Është dita e një çasti vendimtar në historinë tonë si komb, është dita e mposhtjes së frikës ndaj komunizmit në emër të demokracisë.
Në emër të progresit. Në emër të së ardhmes. Por beteja për demokraci sot vazhdon dhe është më e fortë se kurrë. Misioni i para 30 viteve, mbetet misioni ynë edhe sot.
Ndaj, apeli i parë i imi sot është se na duhet të luftojmë me të njëjtin pasion për demokracinë në Shqipëri, të luftojmë me të njëjtin përkushtim dhe angazhim për të cituar presidentin Biden në fjalën e tij të djeshme, në Samitin Virtual të Sigurisë në Mynih, sepse demokracia është diçka për të cilën duhet luftuar çdo ditë.
Misioni i Partisë Demokratike, misioni ynë është të garantojmë demokracinë në Shqipëri dhe të ecim përpara në këtë proces. As edhe një hap pas, por po kështu mos të tolerojmë hapa pas. Fatkeqësisht realiteti i 8 viteve është realiteti I kthimit pas në të gjitha proceset demokratike për shkak dhe prej Edi Ramës.
Ne nuk kemi heshtur përpara përpjekjeve të tij. Ne jemi përballur me bashkimet më të mëdha të shqiptarëve, në çdo rrafsh, në çdo fushë, në çdo shesh, në çdo qytet. Dhe nuk do të heshtim deri sa këtë betejë ta fitojmë në 25 Prill.
Kjo është një betejë që duhet bërë dhe duhet fituar. Dhe fitorja do të marrë formë në 25 Prill me fitoren e zgjedhjeve. E vetmja mënyrë për të garantuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë është fitorja e zgjedhjeve të 25 Prillit. Ndaj e kam thënë dhe e përsëris që 25 Prilli nuk është vetëm ditë zgjedhjesh e zakonshme për Shqipërinë. Është dita kur shqiptarët do të vendosin midis demokracisë dhe kursit të saj perëndimor apo bjerrjes së demokracisë dhe rënies në një autokraci me pasoja dërrmuese për shqiptarët e Shqipërinë. Është e qartë prasë ka në fakt vetëm një alternativë.
Alternativa është ecja përpara, është konsolidimi i demokracisë dhe garancia është fitorja e zgjedhjeve nga Partia Demokratike më 25 Prill së bashku me koalicionin tonë.
Ditën e sotme kemi zgjedhur për të diskutuar një nga aspektet e rëndësishme të programit tonë të pas-zgjedhjeve të 25 Prillit. Pas këtyre zgjedhjeve dhe pas fitores së tyre Partia Demokratike ka marrë angazhime konkrete dhe të zbatueshme në raport me të persekutuarit politik, me të përndjekurit politikë të regjimit komunist.
Ne zotohemi që brenda mandatit të parë të përfundojmë pagesat për familjet e persekutuara nga regjimi komunist. Atyre iu është bërë një dëm i pakthyeshëm në jetët e tyre dhe sa më shumë që e vonojmë këtë shpagim të vogël, aq më shumë rëndon mbi ne, dëmi që i është shkaktuar. Personalisht kam takuar të persekutuarit që sot e kësaj dite nuk kanë një gur varri ku të kujtojnë prindërit apo të afërmit e tyre. Prandaj, angazhohemi që në ditët e para në qeveri, të krijojmë instrumentin dhe fondin për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar që regjimi ogurzi komunist i la pa varre dhe ta financojmë atë deri në përfundimin me sukses të plotë procesin dhe përmbylljen e tij brenda një kohe sa më të shkurtër. Qeveria e ardhshme do të ofrojë bursa studimi dhe kredi të buta për banesa, çifteve të reja nga pasardhësit e të përndjekurve politikë. Ne do të subvencionojmë shërbimet shëndetësore dhe rrisim pensionet e të përndjekurve nga komunizmi, si dhe po shqyrtojmë mundësinë që të burgosurve politikë t’ju jepen 100 Euro shtesë mbi pensionet e tyre.
Atyre që kanë vuajtur punën skllavëruese dhe torturat e kolonive ndëshkimore në minierat e Spaçit e në Qafë të Barit. Do ti mundësojmë një pension si të minatorëve për ato vite që kanë punuar aty . Shqiptarët meritojnë respekt. Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës. Ne do të dënojmë të gjitha simbolet e komunizmit në Shqipëri dhe do të fusim në sistemin arsimor edukim të veçantë për këtë periudhë të errët të historisë tonë. Rrëfimet dhe ditarët e burgjeve dhe të burgosurve politikë nuk do të kenë një fond të veçantë por mbi të gjitha një vëmendje të veçantë për edukimin e të rinjve. Fëmijët tanë, nipërit tanë nuk mund të rriten më me errësirën për çfarë ka qenë e shkuara aq më pak me helmin e propagandës së sotme.
Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë aq më pak deformimi I të shkuarës por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur. Por ne jemi borxhlinj këtyre që luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë edhe në ditët më të errëta të kombit tonë. Prandaj angazhohem për ngritjen e muzeut në kujtim të viktimave të komunizmit dhe do të përpiqemi me ngulm të kërkojmë fatin e atyre që u ekzekutuan prej atij sistemi por kjo nuk mjafton ashtu siç kam patur mundësitë modeste në krye të bashkisë ku ndërtuam instilacionin kuptimplotë post-bllok për ti kujtuar vetes dhe fëmijëve tanë tmerrin e zi që ku komb dhe kjo shoqëri ka hequr. Angazhohemi në ngritjen e monumenteve kujtimore në respekt të personaliteteve të vendit të veçanta, ngjarjeve të veçanta historike edhe sakrificave të përndjekurve politikë dhe të rezistencës së tyre gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Ka ardhur koha që shoqëria të çlirohet njëherë e mirë nga prangat që i mbajnë akoma duart e lidhura. Asnjë xhelat i djeshëm nuk mund të jetë një shenjtor i sotëm, ndaj angazhohem për miratimin e një ligji për pastrimin e figurës që nuk do të jetë vetëm një distancim njëherë e mirë nga diktatura gjakatare 50-vjecare, por edhe një apologji për 30 vite të munguara. Ne u detyrohemi kaq atyre që jetën e humbën nga armët e regjimit gjakatar, atyre që u lindën apo rritën në kampet e internimit apo u dergjën burgjeve apo kulakëve të diktaturës të dhunuar nga një pushtet që kapardisej në luksin e bllokut të udhëheqjes, ndërsa populli terrorizohej dhe zhytej në mjerim të paimagjinueshëm.
Ne do të marrim çdo masë të nevojshme për t’u siguruar se këto hapa nuk do të kthehen pas. Do të punojmë fort që në kujtesë, por mbi të gjitha në standardet e demokracisë Shqipëria të eci vetëm përpara, për demokracinë, për lirinë e fjalës, për të drejtat e individit, për një rrugëtim të sigurt drejt Bashkimit Europian. Ne do të garantojmë që ky kapitull i errët i historisë tonë të mos rikthehet më në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë dhe këtë kujtesë historike, këto viktima, këto heronj të kësaj kohe t’i kemi gjithmonë në zemër si shembuj dhe frymëzim të kurajës së një kombi që ecën i sigurt drejt dështimit të vet perëndimor, europian dhe euro-atlantik.