Kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara, po i përqendrojnë përpjekjet e tyre të fushatës të premten në katër shtete me rëndësi vendimtare, ndërsa kanë mbetur vetëm katër ditë derisa amerikanët të hedhin votat e fundit në zgjedhjet e përgjithshme.
Presidenti Donald Trump do të bëjë fushatë në Miçigan, Minesota dhe Uiskonsin, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden do të bëjë fushatë në Minesota, Uiskonsin dhe Ajova.
Miçigani ka 16 vota elektorale, Minesota dhe Uiskonsin kanë nga 10, dhe Iova 6.
Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat Biden i përqendruan përpjekjet e tyre të fushatës të enjten në shtetin juglindor të Floridas, të cilin presidenti e fitoi në vitin 2016.
“Nëse Florida voton blu, fitorja është e jona”, tha zoti Biden në një tubim ku mbështetësit morën pjesë duke mos dalë nga makinat para kolegjit Broward, duke iu referuar ngjyrës së Partisë Demokrate.
Zoti Biden kritikoi Presidentin Trump për mbajtjen e tubimeve plot me njerëz mes pandemisë së koronavirusit ku shumica e të pranishmëve nuk mbajnë maska, duke i quajtur ato “aktivitete super përhapëse”.
Presidenti “nuk po përhap vetëm koronavirusin. Ai po përhap përçarje dhe mosmarrëveshje”, tha Biden në një tubim të dytë me makina gjatë ditës në Tampa që u ndërpre nga një shi i dendur.
Presidenti Trump, duke iu drejtuar një turme të madhe në një stadium në Tampa, përsëri parashikoi pjesëmarrje të madhe të votuesve republikanë – “një valë e madhe e kuqe” – më 3 nëntor, duke iu referuar ngjyrës së republikanëve.
“Ne do të kemi një fitore dërrmuese. Do ta shikoni”, parashikoi presidenti.
Zoti Trump ishte planifikuar të zhvillonte një tjetër tubim të enjten më vonë në Karolinën e Veriut, por për shkak të “motit shumë të keq”, përfshirë erërat e forta, aktiviteti u shty për të hënën, u tha ai gazetarëve.
Në fjalimin e tij në Tampa, presidenti tha gjithashtu se vendi do të kishte një vaksinë për COVID-19 “brenda disa javësh”, duke premtuar se “të moshuarit do të jenë të parët që ta merrnin atë”. Në Florida, njerëzit mbi moshën 65 vjeç këtë vit mund të përbëjnë rreth një të tretën e atyre që votojnë për president.
Në çdo zgjedhje që nga viti 1996, kandidati që ka fituar Floridën ka fituar presidencën. Fituesi atje merr 29 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të siguruar fitoren e zgjedhjeve.
Sipas një mesatareje të sondazheve kryesore të përpiluara nga faqja Real Clear Politics, kandidatët Biden dhe Trump kanë praktikisht të njëjtën mbështetje në Florida dhe Karolinën e Veriut, ndërsa presidenti është pas ish-nënpresidentit në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Sipas sondazheve kombëtare, zoti Biden ka një epërsi prej 7 ose 8 përqind ndaj zotit Trump, edhe pse në disa shtete vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin në Kolegjin Zgjedhor, diferenca është sa një e dyta e diferencës kombëtare.
Amerikanët po votojnë herët për zgjedhjet presidenciale të së martës në shifra të pashembullta, si rezultat i bindjeve të forta pro ose kundër dy kandidatëve kryesorë dhe për t’iu shmangur turmave të mëdha të Ditës së Zgjedhjeve në qendrat e votimit gjatë pandemisë.
Më shumë se 80 milion njerëz kishin votuar tashmë deri të enjten, shumë më tepër se gjysma e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan herët në vitin 2016, që ishte 138.8 milion.
Rreth dy të tretat e votuesve të hershëm të Amerikës kanë postuar ose hedhur fletëvotimet e tyre në kuti të posaçme, dhe pjesa tjetër votuan personalisht në vendet e votimit në të gjithë vendin.
Zoti Biden votoi të mërkurën në Uilmington, Delauer, ndërsa zoti Trump e hodhi votën e tij të shtunën në një bibliotekë në West Palm Beach, Florida, pranë vendpushimit të tij Mar-a-Lago.
Ekspertët thonë se pjesëmarrja e votuesve për garën midis republikanit Trump dhe rivalit të tij demokrat Biden mund të jetë përqindja më e lartë e elektoratit që nga viti 1908, kur ajo ishte 65%.