SHBA- Vazhdojnë rekordet negative në botë për sa i përket pandemisë së COVID-19, me SHBA-në në krye të listës së “zezë”.
Ditën e djeshme presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe zvëndëspresidentja Harris, si dhe të gjithë amerikanët mbajtën një minutë heshtje në nderë të të gjithë viktimat që kanë humbur jetën nga COVID-19. Numri total i viktimave ka shkuar 512.590 në të gjithë vendin.
Përpara heshtjes, Joe Biden mbajti një fjalim tepër të ndjerë nga Shtëpia e Bardhë, duke shprehur keqardhje e tij të thellë për familjarët dhe personat që kanë humbur jetën si pasojë e virusit.
“Sot ne shënojmë një moment me të vërtetë të zymtë, pikëllues 512.590 të vdekur. Janë më shumë amerikanë që kanë vdekur brenda një viti në këtë pandemi sesa në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Vietnamit së bashku”, tha Presidenti Biden në një fjalim emocional të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
“Si vend, ne nuk mund ta pranojmë një fat kaq të egër. Edhe pse e kemi luftuar këtë pandemi për kaq kohë, ne duhet të rezistojmë dhe të mos bëhemi të pandjeshëm ndaj trishtimit,” shtoi Biden.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, masave shtrënguese anti-COVID dhe vazhdimit të fushatës së vaksinimit, ende në SHBA situata epidemiologjike nuk është stabilizuar.