Itali- Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me operacionin ndërkombëtar të drogës në Itali ku i arrestuar mbeti edhe një shqiptar. Siç njoftohet, operacioni policor i koduar “MIRACOLO II” u zhvillua në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri , nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe UCI Albania.
Nga Policia e Shtetit u angazhuan forcat speciale RENEA, Fast Albania, Interpol Tirana, Drejtoritë Vendore të Policisë Fier, Tiranë dhe Elbasan. Deri tani, gjatë këtij operacioni në Itali janë arrestuar 33 persona.
Ndërsa në Shqipëri, në kuadër të operacionit “MIRACOLO II”, është arrestuar në Fier me qëllim ekstradimi në Itali, 28-vjeçari Rosman Sulo. I riu, në bazë të përgjimeve të bëra nga autoritetet italiane kishte rolin e bashkëpunëtorit, për sigurimin e transportimit të lëndës narkotike drejt Italisë.
Operacioni “MIRACOLO II” është në vijim të operacionit ” MIRACOLO I”, që ka nisur në vitin 2018, me arrestimin e italianit Santo Tucci, i cili u kap me 27 kg hashash, 1.7 kg kokainë dhe 2 pistoleta.
Në kuadër të të dy operacioneve ” MIRACOLO I” dhe “MIRACOLO II” janë sekuestruar 4 kg kokainë, 35 kg hashash, 52 kg marijuanë, 260 mije euro, 2 pistoleta me silenciator dhe fishekë.